Saturday, December 24, 2016

Njeriu i hurit dhe i litarit !



 
Nga Partizan Cene !
Në ditët e fundit, ish-shefi i qeverisë dhe dikur edhe president i këtij vendi, duket sikur ka pësuar diçka në vete. Në të gjitha herët kur ka rastin të flasë, sidomos në sallën e parlamentit, në të enjtet e zakonshme të krizës parlamentare, ai kërcënon, çirret, flet për vrasje që mund të kishin ndodhur, që nga ajo e shefit të tanishëm të qeverisë dhe deri tek deputetët që rastësisht mund të ndodhen në sallë, bën thirrje për rebelim, kryengritje, këto të fundit i ka bërë që me 23 qershor në mbrëmjen e vitit 2013; pastaj përsëri kërcënon, etiketon një shumicë qeveritare si gjithçka, veç njerëz jo, dhe, së fundi, nuk e di se si i erdhi dhe tha se si i kishte rrëzuar një herë përmes hurit, do i rrëzonte përsëri.
Njeriu i hurit dhe i litarit kërcënon. Zakonisht thonë se në shtëpinë e varurit nuk duhet përmendur litari, por kur ai e sjell jo rastësisht në një sallë parlamenti, plot pathos, por edhe gjithë zemërim patalogjik, atëherë edhe mund të përmendet.
Në të vërtetë: kush e kërkon hurin?
Cilët duhen zbuar si batakçinj e jo vetëm kaq nga ajo sallë parlamenti dhe krejtësisht nga skena politike shqiptare?
A ka precedentë të tjerë të këtij lloji, i cili, sado në zhdukje, përsëri është i pranishëm, edhe pas 26 viteve jetë plurale?
Në Shqipëri, nëse ka një njeri të politikës që i duhet vënë huri, është pikërisht zoti Berisha.
Këtë nuk e kam shkruar tani, e kam thënë prej shumë kohe, dhe, nëse rasti do më kishte sjellë të isha në një sallë parlamentare me një hibrid të tillë të diktaturës dhe kriptokomunist i dorës së parë, nuk e di se si do të mund ta përballoja.
Berisha e donte hurin prej kohe. Ai përmendi vitin 1997 si kohën kur ai i vuri përpara parlamentarët dhe pushtetin, diçka që jo vetëm nuk ka ndodhur, por duhet të jetë njëra ndër ëndrrat më haluçionante të tij.
Viti 1997 është padyshim viti më i zi i kombit, ndoshta edhe më i egër se viti 1913, dhe, nëse në kohën e largët kishte një Haxhi Qamil, në kohën e tashme kishte një Berishë, që, edhe pse nuk thërriste “ duam babën”, ai kishte ndër mend një periudhë po aq anadollake dhe po aq çnjerëzore.
Viti 1997 ka përçues një emër të fatkobit: Berishën.
Është viti kur ai e lëshoi pushtetin përmes hurit që u ngrit në të gjithë vendin, edhe në bastionet e tij, dhe kurrë më parë nuk kishte ndodhur që në një hark kohor kaq të shkurtër, prej 4 viteve, të përmbysej kaq rrëmujshëm statura politike e një njeriu, që dikush edhe i kishte besuar.
Politikën Berisha e ka perceptuar gjithnjë si luftë. Ata që ka pasur përballë tij i ka perceptuar si armiq. Rënien nga pushteti e ka menduar si fatkeqësi kombëtare. Nëse në periudhën presidenciale ai ishte ende njeriu që kishte enigma brenda vetes, pas vitit 2005, kur pas hijes pushtetore u ngrit hija familjare, edhe më shumë gllabëruese dhe vrastare, mes të cilëve 26 të rënët në Gërdec ishin maja e dukshme e asaj që ka ndodhur, çdo përfytyrim për të dhe klanin rreth tij shkoi drejt asaj që ishte ditur, por që nuk ishte shpallur ende.
Viti 1997 është edhe nga një anë tjetër viti fatkob i Shqipërisë. E majta, që po vinte në pushtet pas katër viteve largim, dhe jo thjeshtë për meritën e saj, më shumë nga ai tufan që ngriti mashtrimi qeveritar, bëri gabimin, ose më saktë, fajin historik, nga i cili nuk mund të lahen dot me arsyetimin e vendosjes së paqes sociale.
Me një njeri që politikën e mendon dhe e zbaton si një ndeshje me hunj dhe veten si një Bajloz me hu në dorë, nuk mund të ketë paqe sociale.
Se si e përfytyronte paqen sociale njeriu i falur prej tyre e dëshmoi koha shumë shpejt: 21 janari ishte dita fatale e dëshmisë së fajit të madh politik që kishin bërë dhe këtë faj, kaq madhor, e ndjen sot e gjithë struktura e shtetit.
Në pranverën e vitit 1997 duhej të kishte filluar katarsi i politikës shqiptare: por në fakt ndodhi e kundërta, iu hap rruga politikës së hurit. Njeriut që kishte urdhëruar hedhjen e napalmit mbi demonstruesit, që kishte armatosur banda në veri për të luftuar kundër jugut, gjithnjë me dëshirën e ëndrrën e vjetër serbomadhe të ndarjes së Shqipërisë, e majta politike, duke dëshmuar se asgjë nuk kishte mësuar nga rebelimi masiv, jo vetëm bëri amnistinë politike, por pranoi të bëhej pjesë e vazhdimit të një loje që edhe sot është e pranishme.
Të mendosh politikën përmes hurit, këtë mund ta bëjë vetëm një njeri që në ëndërr ka hurin ose që ka shpëtuar prej tij.
Berisha i ka të dyja: ai e ndjen politikën e tij si politikë ndaj armikut dhe si në mesjetë është gati të luftojë edhe me hunj, por edhe e di se ka shpëtuar nga huri i drejtësisë.
Berisha ishte më praktik nga klasa e së majtës politike. Megjithëse asnjëherë, veç marsit të vitit 1992, ai nuk i ka fituar zgjedhjet, përmes joshjes së pushtetit, kërcënimit dhe ndarjes së atyre që sot i quan armiq, ka qeverisur për 12 vite në këtë vend.
Njeriu i hurit ka ndjekës veç njerëz të kësaj natyre, hunj të tjerë.
E kam dëgjuar njërin prej tyre të flasë në këtë gjuhë në parlament, i yshtur nga e keqja e vendit të tij, dhe nuk do habitesha aspak nëse, dikur, jo shumë larg, ka nënshkruar një akt bashkëpunimi me shërbimin sekret serb, e po ashtu, nuk do të isha habitur, nëse, mes të parit e të dytit, kalojnë fije të njëjta, që edhe pas kaq kohësh, nuk priten.

No comments:

  Plani Slloven “non-paper”për Ballkanin perëndimor , një dëshirë apo edhe një mundësi reale ?? Nga Partizan Cene ! Këtë pyetje e kam bërë d...