Thursday, March 4, 2010

Projekt për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni

Marre e plote nga DW-world

Bashkëpunimi midis bashkësive përmes zhvillimit të një dialogu të mirëfilltë do të jetë qëllimi kryesor i projektit të sapofilluar në disa komuna të Maqedonisë, ku jeton popullatë me strukturë të përzier

Ideja për zhvillimin e dialogut të drejtëpërdrejtë etnik, është mbështetur nga tri agjensi të OKB-së, UNESKO, UNDP dhe UNICEF. Krijimi i raporteve pozitive midis etniteteve është e një rëndësie të veçantë për Maqedoninë si një vend kandidat për anëtarësim në BE, thotë koordinatorja e OKB-së, Diadra Bojd.

“Programi është tejet ambicioz, përmes tij do të kontribuojmë për rritjen e besimit midis etniteteve dhe krijimin e një qetësie etnike, që do t'u mundësojë gjeneratave të ardhshëm të ecin bashkarisht”, thotë Diadra Bojd. Duke patur parasysh incidentet e njëpasnjëshme etnike, që ndodhin sidomos midis të rinjve, zhvillimi i dialogut ndëretnik është i mirëseardhur, vlerëson kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski. Kafe në një  shesh në Kumanovë Kafe në një shesh në KumanovëBisedat e hapura për dallimet gjuhësore, fetare, kulturore dhe etnike, mundësojnë balancimin e situatave të tensionuara në veçanti në ato vendbanime, ku jeton popullatë e përzier etnike, thotë Damjanovski.

Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni gjithnjë kanë qenë çështje mjaft e ndjeshme, prandaj në këtë drejtim është vepruar me mjaft kujdes, thotë politikologu Ismet Ramadani. Që nga vitet 90-të në Maqedoni kemi koalicione qeveritare multietnike, por për fat të keq dialogu ndëretnik nuk është menaxhuar mirë në terren.

“Duke promovuar projekte, të cilat sillen pa pëlqimin e shqiptarëve në terren gjithnjë paraqitet tension, ose më mirë të them ai ambienti politik shumë nervoz”, thotë Ramadani. Gjimnazi  Korcagin në Shkup

Lejla Hysein është gazetare në mediat në gjuhën turke, ajo parapëlqen të shkruajë për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.

“Moskuptimi midis etniteteve ne Maqedoni është pasojë e mosbesimit të ndërsjelltë dhe ekzistimit të një sërë paragjykimeve për etnitetin tjetër. Dialogu për dallimet është mekanizmi i vetëm, që do të mundësojë reflektim pozitiv. Dallimet gjuhësore, kulturore e fetare në Maqedoni janë pasuri, të cilat ne ende nuk dimë t'i çmojmë”, thotë Lejla Hysein.

Dialogu ndëretnik do të zhvillohet edhe në qytetin e Kërçovës. Farie Dauti është studente, ajo është pesimiste sa i përket relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike .Pamje nga  Tetova Pamje nga Tetova

“Paragjykimet na pengojnë mjaft për të ecur bashkë dhe kjo është arsyeja kryesore, që neve nuk na lë hapësirë për të bashkëpunuar dhe përderisa ne nuk bashkëpunojmë atëherë nuk do të kemi mundësi që t'i reduktojmë këto paragjykime “

Nermine Mulaku nga Tetova është e mendimit se për zhvillimin e një dialogu konstruktiv për dallimet etnike duhet të formohen klube, apo forume të përhershme ashtu siç ekzistojnë gjithandej në Evropë.

“Identiteti evropian e pranon diversitetin kulturor, mirëpo ne kemi problem të kulturës brenda shtetit, në njëfarë mënyre nuk jemi të integruar së bashku me vlerat kulturore, tradicionale dhe etnike”.

Politikologu Ismet Ramadani vlerëson se Maqedonia nuk mund të zhvillohet si shtet dhe si demokraci pa koekzistencë ndëretnike, andaj dialogu për dallimet etnike duhet të jetë motoja e veprimit te gjithsecilit politikbërës në Maqedoni.


No comments:

  Plani Slloven “non-paper”për Ballkanin perëndimor , një dëshirë apo edhe një mundësi reale ?? Nga Partizan Cene ! Këtë pyetje e kam bërë d...