Realiteti masakron ëndrrat. Ai i vret ato
shpejt dhe pa mëshirë. Dhe për shkak se njerëzit kanë kujtesë të
shkurtër edhe ëndrrat janë jetëshkurtra, ne shpesh harrojmë sesi ishin
ato kur filluan. Kjo është arsyeja, pse ia vlen të krahasohet
“përmbledhja e parë e plotë” e reformave të Greqisë, që duhen të
ndërmerren, në mënyrë që vendi të mund të zhbllokojë financimet nga
kreditorët ndërkombëtarë, me programin zgjedhor që partia në pushtet
Syriza njoftoi shtatorin e shkuar.
Në planin fillestar të të ashtuquajturit
programit i Selanikut, udhëheqësi i Syrizas Aleksis Cipras, 4 muaj para
se të bëhej kryeministër, premtoi një strategji të guximshme të përbërë
nga katër “shtylla”: përballimi i krizës humanitare; rimëkëmbja e
ekonomisë dhe promovimi i drejtësisë fiskale; rritja e punësimit dhe
transformimi i sistemit politik për të forcuar demokracinë.
Shtylla e parë përmbante masa që në total
kushtonin 1.882 miliardë Euro (po, ishte e llogaritur me atë lloj
saktësie në dukje profesionale). Ajo përfshinte energjinë elektrike
falas për familjet nën nivelin e varfërisë; pagimin e qerave, vaktet e
bukës falas, transportin dhe kujdesin mjekësor të subvencionuar për të
varfërit, si dhe rrikthimin e “bonusit për Krishtlindje” për 1.3 milionë
pensionistët me pensione të ulëta. Programi aktual i reformës braktis
shumicën e këtyre masave, duke mbajtur vetëm bonusin e Krishtlindjeve,
me një kosto prej 600 milionë eurosh, dhe duke kërkuar edhe 152 milionë
euro për dy rregullime të tjera teknike për legjislacionin e pensioneve,
të papërmendura në programin origjinal. Ushqimet dhe energjia falas
janë lënë jashtë diskutimit.
Shtylla e dytë e platformës së fushatës
së Syrizas ishte e gjitha për zbutjen e presionit të taksave mbi klasën e
mesme. Ciprasi propozoi zëvendësimin e tatimit universal mbi pronën, me
një taksë vetëm mbi pronat e mëdha, një kosto për qeverinë prej 2
miliardë eurosh në vit. Ide të tjera, përfshinin rrikthimin e pragut
vjetor të tatimit mbi të ardhurat prej 12.000 Eurosh (me një kosto prej
1.5 miliardë Eurosh në vit), dhe duke i lejuar njerëzit të paguajnë
borxhet e tyre tatimore me këste (përfitim prej 3 miliardë Eurosh në
vitin e parë).
Dy propozimet e fundit qëndrojnë edhe tek
propozimet e tanishme të qeverisë greke, por shifrat bashkangjitur tyre
janë shumë më të vogla. Rikthimi i prag-tatimit mbi të ardhurat dhe
ndryshimi i vlerës, është menduar të kushtojë 300-400 milionë Euro këtë
vit dhe 400 milionë në vitet e ardhshme. Një shumë e njëjtë, është
dashur të kompensohet përmes skemës me këste, ku përfitojnë më shumë se
3.5 milionë taksapagues të falimentuar, që tashmë mund të fillojnë të
paguajnë borxhet e tyre.
Vitin e kaluar, Ciprasi u zotua të
rivendoste kontratën kolektive dhe ta bënte më të vështirë që njerëzit
të pushoheshin nga puna. Ai premtoi një program për krijimin e 300 mijë
vendeve të reja të punës, me një kosto prej 3 miliardë Eurosh vetëm
gjatë vitit të parë. Premtimi i parë ndodhet edhe në programin aktual të
qeverisë, por i formuluar në një mënyrë të tillë që të mos alarmojë
kreditorët: Greqia është gati të “përfshijë krijimin e kushteve minimale
të punësimit”, përmes një kontrate kolektive kombëtare të punës dhe
fillojë të punojë për rritjen e pagës minimale (me një ndikim fiskal “të
papërfillshëm”). Programi i krijimit masiv të vendeve të reja të punës
është zhdukur. Shtylla politike e programit, e përbërë nga masa të
padukshme për të forcuar demokracinë greke, është dashur të jetë
neutrale nga ana fiskale, kështu që nuk është pjesë e diskutimit të
Greqisë me kreditorët e saj. Programi i Selanikut u bazua në aftësinë e
qeverisë së Syriza-s për të negociuar fshirjen e pjesshme të borxhit,
një moratorium të përkohshëm mbi shërbimin e borxhit dhe vendosjen e një
lidhjeje mes rritjes ekonomike dhe shërbimit të borxhit.
Por Bashkimi Evropian, Banka Qëndrore
Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ranë dakord për ato gjëra,
dhe Greqisë i është dashur të pranojë një vazhdim të programit aktual të
shpëtimit, me kreditorët që periodikisht rishikojnë progresin e
reformave. Ciprasi hyri në negociata, i paaftë për t’u larguar më pas
nga tryeza, dhe kjo gërryejti shpejt pozitat e tij në ato bisedime. Kjo
ishte përballja e parë me realitetin. Më herët, kur Ciprasi bëri
premtimet e tij të guximshme gjatë fushatës zgjedhore, ai nuk parashikoi
se duhet të vepronte në kushtet e kufizimeve financiare ekstreme, me
fondet që thuajse po shteronin çdo ditë.
Qeveria e tij duhet të kontrollonte
fondet e sigurimeve shoqërore, për të paguar pensionet dhe pagat, dhe
falimenti i bankave e bëri sektorin bankar të Greqisë, të dëshpëruar për
më shumë ndihma nga BQE-ja. Kontrolli i dytë i realitetit, duhet të
ketë qenë i brendshëm: tronditja e përjetuar nga gjendja reale në
terren, në raport me atë që ishte parë nga perspektiva e një qeverie të
ardhshme.
Ashtu si çdo parti opozitare në një vend
të keqmenaxhuar dhe aspak transparente, Syriza kishte vetëm një ide të
përafërt të kostove dhe përfitimeve të masave të propozuara prej saj,
ose se përse qeveritë e mëparshme nuk i kishin bërë të gjitha ato gjëra
të mira, të sjellshme e të ndjeshme për popullin grek. Doli se kjo nuk
ndodhi jo për shkak se ato qeveri ishin thjesht të këqija dhe kriminale.
Administrata Ciprasit hartoi programin e saj të reformave, vetëm pas 2
muajsh negociata të pandërprera me ministrat e financave të Eurozonës,
që kërkonin më shumë detaje dhe qëllimet sasiore.
Qeverisë iu desh kohë, për të kuptuar se
çfarë mund të bënte realisht. Ndërsa programi i Selanikut kishte çdo
gjë, duke parashikuar edhe sesi do të shpenzoheshin një mijë Eurot e
fundit, plani i tanishëm nuk ka një saktësi të tillë. Ndikimi i tij
pozitiv fiskal, projektohet të shkojë nga 3.5 deri në 5 miliardë euro.
Gjëja më e mirë, që një parti e re mund të premtojë me të vërtetë ndaj
votuesve, është pastërtia e qëllimeve të saj.
Specifikat gjithmonë do të jenë të
lidhura me domosdoshmërinë dhe kufizimet. Kjo është arsyeja, se pse
opozita greke, e udhëhequr nga Antonis Samaras, tani është duke i ofruar
ndihmë Ciprasit, në kushtet kur lëshimet që ky i fundit po u bën
kreditorëve e bëjnë të pamundur mbajtjen e koalicionit qeverisës të
bashkuar. Realiteti është i ashpër, por s’mund dilet jashtë tij.
/“Bloomberg
No comments:
Post a Comment