Nga Partizan Cene
Bëhet fjalë për Librin :
Shkrimi i Botuar në Shekulli
"Rebelimi i 1997-s dhe Kosova"
(Dëshmi dhe përshkrime për UÇK-në )
Ish- kryeministri shqiptar Sali Berisha shkoi në 28 nëntor (foto) tek busti i heroit Adem Jashari.
Duket paksa ironike pasi Adem Jashari u burgos në Tiranë gjatë
kohës që Berisha kontrollonte të gjithë shtetin dikur si President i
Shqipërisë.
Studiuesit dhe gazetarët e njohur Miranda Vickers
dhe James
Pettifer kanë shpjeguar ndoshta më
mirë se shumëkush pengesat që Berisha
i shkaktoi konsolidimit të UÇK-s, por jo vetëm kaq.
Në librin e studiuesve të njohur mes rreshtave nënkuptohet se
Berisha ishte shumë pranë shërbimeve franceze asokohe, shërbime të cilat
ishin seriozisht të investuara në mbështetjen ndaj Millosheviçit dhe
shpërbërjes së UÇK-së.
Është një libër tronditës që çuditërisht politikanët shqiptarë
shqiptarë bëjnë ç’është e mundur ta harrojnë apo ta hedhin prapa krahësh
si të mos qenë. Por ai është dhe, në kohën kur u botua njëherësh në
anglisht dhe në shqip, pra në Londër, Nju Jork dhe Tiranë njëherësh në
2007, pra në 10-vjetorin trazirave të 97-s, ishte libri më i bujshëm për
zhvillimet shqiptare të dy dekadave të fundit.
Në Tiranë ky libër i përkthyer nga Xhevdet Shehu u etiketua si
“libër i ndaluar” por ndërkohë ishte e pamundur të ndalej qarkullimi i
tij.
Ai kishte ardhur në shqip dhe pati efektin e një tërmeti, për
shkak të disa të vërtetave të hidhura, që shqiptarët, megjithëse i
kishin përjetuar intensivisht ngjarjet, ende nuk i dinin.
Sipas të dhënave të dokumentuara nga historianët e mirënjohur
anglezë, Xhejms Petifeër dhe Miranda Vickers, na del një Berishë krejt
tjetër nga ai që luan aq fort me kartën e patriotit.
Berisha ka arrestuar Adem Jasharin, heroin tjetër Zahir Pajazitin,
ndërsa një skuadër me pagesë u dërgua në Tiranë për të vrarë Hashim
Thaçin.
Por Thaçi shpëtoi për fat ndërsa vrasësit ekzekutuan gabimisht shokun e tij të dhomës gazetarin Hysni Vulaj.
Më poshtë, pjesë nga libri:
******
Rebelimi i 1997-s dhe Kosova
Nga Xhejms Petifer
dhe Miranda Vickers
Ndërsa trazirat nuk po shqiteshin nga rrugët në kulmin e verës 1997
në Shqipëri, pak vëmendje po i kushtohej nga mediat ndërkombëtare
zhvillimeve në Kosovë. Gjithsesi kishte një shqetësim të madh brenda
kancelarive dhe selive të organizatave ndërkombëtare se kriza shqiptare
mund të përhapej atje. Një pakicë diplomatësh të huaj të mirinformuar
dinin se si ziente diaspora shqiptare dhe se ishin duke u shtuar
kritikat ndaj politikës pacifiste të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Shtetet proserbe si Anglia dhe Franca, që kishin lidhje të ngushta
bashkëpunimi të shërbimeve të tyre sekrete me ato të Jugosllavisë,
kishin marrë raporte shqetësuese nga Beogradi mbi armatosjen e
shqiptarëve në fshehtësi. Para se rebelimi popullor ta vinte poshtë
qeverinë e Tiranës në janar 1997, administrata e Berishës deshi ta
përcjellë shqetësimin e saj te diplomatët e huaj për përkeqësimin e
situatës në Kosovë.
Nga fundi i muajit, kryeministri Aleksandër Meksi lëshoi një
deklaratë të përbashkët me ‘kryeministrin’ e Kosovës Bujar Bukoshi, ku
dënohej politika e qeverisë së Millosheviçit dhe premtohej mbështetja e
Shqipërisë për ‘rezistencën paqësore në Kosovë dhe të drejtën legjitime
të popullit të Kosovës për vetëvendosje’. Pavarësisht se në dukje ky
ishte një reagim normal për situatën, dredhia që shfaqej në formulimin e
deklaratës (ku nuk thuhej asnjë fjalë për UÇK-në, as pranohej njohja e
ekzistencës së saj) mund të ilustrohet nga fakti se në javën pasuese, 16
shqiptarë do të gjykoheshin në gjykatën e qarkut të Prishtinës për
pjesëmarrjen e tyre në UÇK. Në të vërtetë, koha për zgjidhje paqësore
kishte ikur, ndaj dhe hendeku midis qeverisë së Berishës dhe udhëheqjes
kolaboracioniste të LDK-së nga njëra anë, dhe realitetit kosovar nga ana
tjetër, po thellohej dita-ditës. Madje dhe barrierat e vjetra midis
krahëve ‘pacifistë’ dhe ‘militantë’ në lëvizjen kombëtare kishin rënë.
Në bashkësinë e pasur dhe të fuqishme të diasporës zvicerane, gazeta
shqiptaro-zvicerane ‘Rilindja’ me pronësi kosovare, por e kontrolluar
nga LDK-ja, ribotoi një artikull të vijës së ashpër të periodikut
‘Çlirimi’ të Lidhjes Kombëtare për Çlirim Kombëtar (LKÇK) të 23 janarit
1997, ku i mëshonte çështjes së luftës. Ishte kjo një shenjë e
rëndësishme që shtypi i deriatëhershëm i bindur i LDK-së nuk do të
pranonte më tej vijën e udhëheqjes së LDK-së.
Në terren, në fushat dhe pyjet e Kosovës, ndërkaq, konflikti po
intensifikohej. Kosova verilindore ishte një nga trevat më të fuqishme
nacionaliste dhe strukturat serbe të sigurimit ishin drejtuar aty nga
shumë zona të tjera në fillim të vjeshtës së vitit 1996. Në ditët e
fundit të janarit, policia serbe zuri pritë në një urë pranë qytetit të
Vushtrrisë dhe vrau tre drejtues të rëndësishëm të UÇK-së: Zahir
Pajazitin, Edmond Hoxhën dhe Hakif Zejnullahun. Në këtë kohë në shtypin
ndërkombëtar kishin filluar të botoheshin disa artikuj për armët që
kosovarët blinin në Shqipëri. Po në këtë periudhë nisën edhe një sërë
kontaktesh politike në marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë, që në të vërtetë i
vunë të gjithë aktorët politikë të Tiranës dhe ata ndërkombëtarë
përballë pasigurive të shumta dhe komplekse për vitin e ardhshëm dhe më
tej.
Kjo buronte nga dy faktorë: nga prishja e marrëdhënieve
Berisha-Rugova të cilat kishin dominuar tërësisht ligjërimin politik për
Kosovën në Tiranë që nga viti 1992 dhe që pasoi me humbjen e pushtetit
të Berishës, dhe së dyti, nga dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si
një forcë ushtarake vendore me sferë veprimi në Shqipëri dhe në Kosovë.
Nga ana e vet, kjo solli një krizë në marrëdhëniet diplomatike të
bashkësisë ndërkombëtare me çështjen e Kosovës, e cila gjer atëherë
ishte mbështetur te lidhjet Berisha-Rugova për ta orientuar çështjen e
Kosovës në botën shqiptare në një drejtim të moderuar. Praktikisht kjo
donte të thoshte se, që nga koha kur Berisha erdhi në pushtet në vitet
1991-92 deri në rënien e qeverisë së PD-së më 1997, të gjitha
diskutimet zyrtare dhe veprimet në Tiranë ishin kufizuar në fushën
diplomatike, ndërsa alternativa ushtarake e shqiptarëve të Kosovës
kundër pushtimit serb ishte përjashtuar. Pas pranverës së vitit 1997,
gjithsesi, shumë nga levat që mund të lëvizeshin nga NATO-ja dhe BE-ja
për të nxitur aktorë politikë të veçantë në një drejtim të caktuar ose
ishin zhdukur, ose kishin humbur ndikimin e tyre të mëparshëm.
Lufta për t’i dhënë fund kontrollit serb mbi Kosovën dhe rebelimi
nëpër rrugë për t’i hequr Berishës kontrollin e Shqipërisë ndodhën si të
thuash ndarazi, por në një kuptim tjetër paralelisht me rihapjen e
çështjes kombëtare. Fillimi i ndërgjegjësimit mbarëshqiptar ishte duke u
rritur në shumë zona të palidhura me njëra-tjetrën. Mbështetësit
proserbë të Berishës në Britani u llahtarisën, ndërsa po jetësohej frika
e tyre më e madhe – fillimi i një lufte të vertetë ushtarake për
çlirimin e Kosovës nga pushteti serb. Si në Shqipëri, edhe në Kosovë
politika ishte duke u larguar nga domeni i elitës politike – ose të
paktën nga ajo pjesë që në perëndim konsiderohej si e përgjegjshme – dhe
po kalonte rrugëve të qyteteve dhe fshatrave malorë.
Ky pasivitet i elitës asnjëherë nuk kishte përbërë tablonë e plotë të
aktivitetit kosovar në Shqipëri, ndaj dhe për shumë vjet supozime serbe
flisnin për një ushtri të fshehtë që ishte duke u formuar në Shqipëri
me synim pushtimin dhe shqiptarizimin e Kosovës. Kjo ushtri thuhej se
ishte vazhduese e kryengritjeve të zonës së Drenicës kundër aparatit
revizionist titist pas Luftës së Dytë Botërore. Më tej krejt Kosova
qendrore u bë një sheshbeteje për katër vjet nga shqiptarët që luftonin
kundër ‘komunizmit’ të imponuar të Beogradit.
Organizata si Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe
Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), kjo e fundit e krijuar jo më vonë se
viti 1982, duke pasuar demonstratat e studentëve të Prishtinës më 1981-
po rriteshin në ilegalitetin politik. Ato e shihnin Shqipërinë si një
shoqëri të lirë edhe nën sundimin e Enver Hoxhës, krahasuar me shtypjen
kombëtare në Kosovë. Në periudhën e turbullt në Kosovë nga viti 1985
deri më 1990 kur Millosheviçi e përdori Kosovën si platformë për të
marrë pushtetin, ra udhëheqja e atëhershme kolaboracioniste shqiptare e
Partisë Komuniste nën drejtimin e Azem Vllasit, ndërsa boshllëkun
politik e mbushi Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Rugova ka pretenduar gjithnjë se gëzonte mbështetjen e pakufishme të
të gjithë shqiptarëve të Kosovës për politikën e tij pacifiste, por në
fakt kjo nuk ka qenë kurrë e vërtetë. Në Kosovë dhe kudo, ata që e
njihnin nga afër realitetin e Kosovës, ishin të ndërgjegjshëm se ky
qëndrim i ishte imponuar atij nga rrethanat pas dështimit të madh të
minatorëve të Trepçes më 1988-89. Por kishte gjithashtu gjithnjë
nacionalistë parimorë në LDK që shprehnin privatisht nevojën për një
forcë ushtarake kosovare.
‘Kryeministri’ i Kosovës Bujar Bukoshi kishte formuar një ‘Ministri
të Mbrojtjes’ në të ashtuquajturën ‘qeveri në mërgim’ më 1991, dhe për
një farë kohe deshi të kundërshtonte pacifizmin e plotë dhe paaftësinë
organizuese të Rugovës. Bukoshi donte ta çlironte ‘Ministrinë hije të
Mbrojtjes’ nga kontrolli politik dhe të përdorte talentet e
ish-ushtarëve të shumtë dhe mjaft të aftë të shqiptarëve të Kosovës që
kishin shërbyer në ushtrinë e vjetër popullore jugosllave. Por kjo
ishte krejt e pamundur pasi udhëheqja e LDK-së e kundërshtonte atë dhe
kishin mbisunduar pikëpamjet e Rugovës. Vetëm pak drejtues të LDK-së, si
nënkryetari i Partisë Fehmi Agani, ishin në kontakt me udhëheqës të
UÇK-së në Drenicë si Adem Jashari.
Jashtë Partisë, në mbarë shoqërinë shqiptare kosovare, një pjesë e
militantëve nuk qenë kurrë dakord me bazat politike të LDK-së dhe
përpunuan trashëgiminë e grupeve të vogla ilegale me besim në luftën e
armatosur. Kjo e kishte nismën që nga koha e heroit të burgosur të
çështjes kombëtare, Adem Demaçit, dhe filloi të bashkohej pas 1992-shit
me Ushtrinë Çlirimtare që sapo ishte krijuar.
Në këtë periudhë kishte disa grupe të vogla individësh që
stërviteshin ushtarakisht dhe merreshin me sigurimin e armëve ku të
mundnin. Por ishte dhe pjesa nacionaliste parimore në LDK që nuk
pajtohej me strategjinë e udhëheqjes dhe që bënte çmos në nivele vendore
për të ndihmuar rritjen e aftësisë ushtarake. Pas luftës në Kroaci,
disa rekrutë shqiptarë të Kosovës dezertuan nga ushtria jugosllave dhe
filluan përgatitjen ushtarake në Shqipëri për të formuar një forcë të re
ushtarake.
Në këtë etapë, vetëm shumë pak njerëz ishin përfshirë në këtë
veprimtari, ndërsa emrat e komandantëve të ardhshëm si Hashim Thaçi,
Ramush Haradinaj, Agim Çeku dhe Adem Jashari ishin krejtësisht të
panjohur. Ata vepronin me emra të ndryshuar në disa formacione të vogla,
ku Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e
Kosovës (LKÇK) dhe Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës (LPRK)
ishin me më shumë ndikim.
Por rrënjët e tyre shkonin thellë në historinë e vonë të Kosovës, që
nga viti 1949 kur Enver Hoxha kishte kërkuar të krijoheshin grupe
ilegale në Kosovë nën drejtimin e figurave legjendare si Xheladin Qira
për të përgatitur terrenin për të luftuar kundër pushtetit të Beogradit.
Kjo përpjekje më së shumti dështoi dhe e shkatërrua nga policia
titiste. Nga pikëpamja ushtarake Shqipëria paraqiste mundësi të mëdha
për radikalët e Kosovës pasi ajo ofronte një bazë të sigurtë për
veprimet përgatitëse dhe logjistike që mund të ndërmerreshin.
Hapat e parë në këtë drejtim u hodhën në vitin 1991 kur një grup prej
54 kosovarësh filluan përgatitjen ushtarake në akademinë e Tiranës.
Sapo kryeqytetet perëndimore morën njoftim për këto zhvillime, qeveria e
Partisë Demokratike u vu nën një presion të madh, sidomos nga qeveria
angleze, për t’i mbyllur këto kampe përgatitjeje dhe për të arrestuar
personelin më të rëndësishëm. Mund të pohohet se qeveria e Partisë
Demokratike e tradhtoi kombin duke iu nënshtruar këtyre presioneve dhe
duke vepruar kundër UÇK-së së sapolindur.
Qeveria e Partisë Demokratike nuk i respektoi të drejtat njerëzore të
veprimtarëve kosovarë kur ajo ishte në pushtet. Themeluesi i UÇK-së,
Adem Jashari, i cili do të martirizohej në mars të 1998-ës në Prekaz të
Drenicës (në Kosovën qendrore), ndërsa krejt familja e tij do të
shndërrohej në një legjendë që në ditët e para të luftës së Kosovës,
ishte arrestuar dhe burgosur në Tiranë në vitin 1993. Zëdhënësi politik
i UÇK-së Hashim Thaçi u burgos më 1996 dhe më vonë i shpëtoi për fije
vdekjes kur shoku i tij i dhomës, gazetari Hysni Vulaj u vra nga një
grup kriminelësh me pagesë. Zahir Pajaziti, komandanti karizmatik i
grupit të Llapit, i cili u vra nga policia serbe më 1997, ishte
arrestuar nga qeveria e Berishës më 1995.
****
Ushtria shqiptare në përgjithësi, (ose të paktën disa veprimtarë dhe
oficerë atdhetarë) dolën shpëtimtarë të këtyre militantëve kosovarë dhe
siguruan lirimin e tyre nga burgu. Ushtaraku i lartë dhe më vonë
këshilltar i Berishës, Adem Çopani luajti një rol të rëndësishëm në
lirimin e shumë veprimtarëve kosovarë, veçanërisht të Hashim Thaçit.
Kjo çoi në një trysni të ndërkombëtarëve (në mënyrë të veçantë anglezët e
qeverisë së Mejxherit) ndaj Berishës për të spastruar ushtrinë nga ata
që supuzoheshin si komunistë dhe ekstremistë me pikëpamje enveriste, që
besoheshin se ishin organizatorët e stërvitjes së përfolur ushtarake të
kosovarëve duke përdorur teknikën dhe mjediset zyrtare shtetërore.
Në të vërtetë, shumë nga ata që ishin spastruar nuk ishin të tillë.
Ata ishin thjesht atdhetarë të vërtetë që thoshnin se qeveria e PD-së
ishte duke goditur ushtrinë si institucion. Ky ishte fillimi i krizës
tërësore të ushtrisë shqiptare, e cila kulmoi me kaosin dhe poshtërimin
e1997-ës. Ishte një ironi e fatit, që trysnia e perëndimorëve ndaj
ushtrisë me qëllim për të frenuar nacionalizmin kosovar dhe ‘komunizmin’
çoi në shkatërrimin e një force që katër vjet më vonë, më 1997, mund të
ishte në gjendje të shpëtonte qeverinë e Berishës.
Në të njëjtën kohë radhët e ushtarakëve të lartë ishin pjestuar nga
spastrimet e përsëritura në vitet 1992-1994, për ata që kujtoheshin
simpatizantë të komunizmit, kështuqë u shpërbënë si forcë serioze. Ky
spastrim çoi në një pakënaqësi të madhe të oficerëve atdhetarë kundër
qeverisë së PD-së; ata panë se Berisha ishte duke bërë pak ose hiç fare
për të mbrojtur interesat e bashkëkombasve shqiptarë të Kosovës kundër
Serbisë, ndërsa e kishte lënë Shqipërinë përgjithësisht të paaftë për të
mbrojtur veten e saj. Në këtë kuptim, mbetej të bëhej edhe një hap i
vogël për t’u përfshirë në lëvizjet e ndryshme ilegale të mbështetjes
për UÇK-në që ishin duke u formuar në Shqipëri. Paratë ishin gjithashtu
një faktor, pasi tregtia e vogël e armëve i ndihmonte ushtarët për të
shtuar rogat e tyre të vogla.
******
Qëndrimi proserb i qeverisë së Mejxherit në Britani, lobi i djathtë
shumë i fuqishëm i emigrantëve zogistë dhe Shoqata Anglo-Shqiptare
njiheshin si përcaktuese dhe mbështetës ideologjikë të Berishës
gjithandej nëpër botë. Vendet skandinave kishin lidhje të pakta me
Shqipërinë, pavarësisht nga lobet vendore të dominuara nga refugjatët
kosovarë, ndaj dhe i shikonin ngjarjet që po ndodhnin me një habi
thuajse naive. Përkundrazi, në Francë tabloja shqiptare shfaqte një
atmosferë të fortë të së majtës, pasi ky vend ishte i vetmi në BE i
parapëlqyer nga shqiptarët me të cilin ata kishin patur marrëdhënie
tregtare dhe diplomatike relativisht normale gjatë kohës së Hoxhës, e
kishte edhe një qendër të studimeve shqiptare në Universitetin e Lionit.
Megjithëse Berisha kishte miqtë e tij në qarqet qeveritare të
Parisit, kishte gjithashtu marrëdhënie miqësore me shërbimet e fshehta
franceze dhe ishte ushqyer me idetë frankomasone në Francë, pjesa
dërrmuese e opinionit ballkanik të Francës ishte kundër Berishës. Në
Gjermani qeveria e tij kishte një mbështetje të fortë nga e djathta dhe
disa qarqe katolike, por shumë kundërshtarë nga e majta dhe midis
bashkësisë së madhe dhe më së shumti radikale të emigrantëve kosovarë,
bënë që zhgënjimet ndaj tij të shtoheshin dhe të forcoheshin qëndrimet
kundër Serbisë.
Në Departamentin amerikan të Shtetit qarkullonte një opinion se
Shqipëria ishte pashmangshëm një ‘shtet i varur’ për shkak të varfërisë
dhe prapambetjes ekonomike, ndaj dhe ishte subjekt i një lufte të
paevitueshme për sundim midis Italisë dhe Greqisë gjatë krizës së
pranverës së vitit 1997. Ndërkohë që të dy këto vende ishin aleate të
NATO-s, nuk pati në këtë kohë ndonjë shqetësim të madh nga Shtetet e
Bashkuara se cili vend do të bëhej dominues. Kjo mund të kuptohet nga
distanca që mbajti Uashingtoni ndaj konfliktit social.
Megjithëse ndërhyrja në Bosnjë e dy vjetëve më parë kishte dhënë një
shembull të suksesshëm për ruajtjen e paqes me anë të forcave amerikane
në rajon, kishte patur (dhe ende kishte) zëra në elitën qeveritare që
kundërshtonin përzierjen e mëtejshme në Ballkan, ndërsa dëshironin të
gjenin një stretegji të largimit sa më shpejt të ishte e mundur nga
Bosnja.
Pamjet televizive të CNN-it dhe të kanaleve të tjera nga Shqipëria u
krijuan qytetarëve amerikanë përshtypjen e një vendi që dinte të shtinte
me kallashnikovë dhe që po çmendej, ndaj dhe Shtetet e Bashkuara
konsideruan se do të ishin të pashmangshme viktimat amerikane, nëse do
të bëhej provë për ndonjë ndërhyrje, prandaj faktori ‘trupat e kthyera
në qeska në atdhe’ luajti një rol të madh në vendimmarrje. Një pjesë e
vogël ekspertësh amerikanë që e njihnin mirë rajonin thanë se humbja e
qeverisë së Berishës ishte e pashmangshme, ndërsa paralajmëruan se në
çdo rast ndërhyrja do të ishte një mundim i kot.
Partizan Cene
Nëntor 2014 !
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
Plani Slloven “non-paper”për Ballkanin perëndimor , një dëshirë apo edhe një mundësi reale ?? Nga Partizan Cene ! Këtë pyetje e kam bërë d...
-
Marre e plote nga DW-world Bashkëpunimi midis bashkësive përmes zhvillimit të një dialogu të mirëfilltë do të jetë qëllimi kryesor i pr...
-
Nga Partizan Cene Arinjtë polar ose arinjtë e bardhë janë ndër kafshët më të bukura në planetin tonë. Por pavarësisht kësaj, ato janë...
-
Nga Entela Resuli Këngët që kanë frymëzuar ata që kanë luftuar maleve për çlirimin e vendit tashmë janë mbledhur bashkë dhe ...
No comments:
Post a Comment