Sunday, April 11, 2010

Valiçia e madhe ..!!



 Tregim horror ..
Marre shkak nga nje ngjarje reale ..!!


Shkruar nga Partizan Cene

(Nuk rekomandohet te lexohet nga femije deri ne 17 vjec !!!!)

Në qytëtin tonë, pas fillimit të viteve '90, kur demokracia i zuri vendin diktaturës, historitë kishin shumë shembuj dhe shembujt tregonin historira.
Alieta, ishte një vajzë nga një fshat i Elbasanit, por me ndryshimet demografike, familja e saj ishte zhvendosur në qytetin tonë. Ajeti, i ati dhe Sania e ëma e saj, u ingranuan disi në vorbullën e qytetit bregdetar, por pa mundur te përshtateshin shpejt me jetën dhe ritmin e këtij mjedisi. Ata erdhën në qytetin tonë, për të qenë me afër, djemve te tyre emigrantë. Astriti djali i madh dhe Feruzi i vogli,t e dy beqare, ditet e hapjes se ambasadave, mundën të hynin në ambasadën Italiane. Kështu u bënë pjesë e kortezhit emigrues, që la Shqipërine diktatoriale dhe u sistemuan në vendet e Evropës. Të dy u rregulluan shpejt në Itali dhe pas disa muajsh filluan të dërgonin të ardhurat te familja e tyre . Kjo bëri të mundur, që prindërit dhe motra, të zinin një shtëpi me qera, në qytetin tonë.
Alieta, ashtu si të gjitha vajzat, u hodh shpejtë në trup dhe megjithëse nuk kishte mbushur akoma të 15 vjetët, të jepte përshtypjen e një vajze të rritur. Në qytet ajo , zuri shpejtë shoqërinë e saj. Si vajzë e huaj në lagjen në hyrje të qytetit , ajo ra shpejt në sytë e djemve. Ajo tërhiqte vëmendjen e tyre, jo vetëm nga trupi i bukur dhe i gjatë i një femre njomshtake, por edhe me finesën dhe gjallërinë e dukshme. Alieta e vogël, megjithëse e re, nuk e ndjente shumë këtë ''pikë të dobët'' të saj, ndaj dhe nuk merakosej shumë për këtë. Nga ana tjetër, babai dhe e ëma , si vajzë të vetme që e kishin, ja plotësonin shumë hatëret, duke e perkëdhelur tej mase. Mirëpo jeta ka dhe kapriçiot e saj. Familja e xha Ajetit erdhi në qytet për një jetë më të mirë, kryesisht për vajzen, duke menduar se aty mund t’i buzëqeshte fati. Dhe një vajzë e bukur si Aljeta, nuk do të vononte të kishte rastet e para. Djali që ajo donte, ishte nga qyteti. Asaj i ishte mbushur mendja se ai e donte shumë. Ndaj, dhe afrimi me të u bë më i ngushtë. Derisa një ditë e pa babai i saj, tek puthej me atë tipin…
Xha Ajetit nuk i erdhi hiç mirë, por e kishte të vështirë ti prishte qejfin Alietës së vetme. Nuk i tha pothuaj asgjë. Por gjithë natën nuk e zuri gjumi... Djali, që donte e bija, ishte një burrë 15 vjeç më i madh nga ajo. Të paktën kështu e çmoi ai. Në shikimin e vetëm që pati me atë, ai pa se kishte një trup të vogël dhe të imët, me veshë fare të vegjël, me flokë shumë të shkurtër dhe me një qafë të hollë si ato të qeve të paushqyer. Nuk mund t’i hiqej nga mendja, shikimi i syve të tij gjelbërush, në çastin kur shkëmbeu shikimet me të...Të gjitha këto i jepnin përshtypjen se ai ishte i madh edhe në moshe dhe nuk ia vlente.Për më shumë, ai kishte një vajzë dhe nuk kishte menduar një fat të tillë për të.
Ditën tjetër, sa u kthye në shtëpi nga pazari, e shoqja i tha se, vajza nuk ishte kthyer… Ai u prish në fytyrë , dhe pasi tha diçka nëpër dhëmbë, doli të shkonte një xhiro, andej nga rruga e poshtme, afër shkollës aty ku kishte parë ''çiftin'' një ditë më parë. .. Pasi dhe aty nuk gjeti gjë , u kthye në shtëpi duke ngushlluar veten se, nga çasti në çast, vajza do të kthehej … Por ajo nuk u kthye, as atë ditë e as pas shumë ditësh. Ankthi prindëror arriti kulmin dhe që natën e parë kishte kërkuar ndihmën e policisë, por më kot. As mbas disa ditësh, nuk mundi të mësonte gjë për vajzën e tij. Policia i përfundoi të gjitha kërkimet e saj pa sukses. Xha Ajeti, lajmëroi djemtë dhe gjithë të afërmit e tij që të bënin dicka për të gjetur Aljetën e vogël të tij. Ai nuk la vend pa kërkuar, duke mbartur mbi supe gjithmonë fajin, për humbjen e vajzës së tij të shtrenjtë...
Një ditë një i njohur i tyre, u tha se kishte mundësi që vajzën ta kishin në Itali... Por nga të gjitha kërkimet , nuk arritën që të kishin qoftë edhe një fije, mundësie për të ditur, se çkishte ndodhur me vajzën e tyre.Zemërimi i Ajetit ishte kthyer në tërbim.Të gjitha rrugët e qytetit, në hyrje - dalje, lagje, rrugica dhe kudo ishin shëtitoret e përditshme të babait Ajet. Bile ditë dhe javë të tëra kërkonte i gjori burrë, për ndonjë shenjë nga plazma e tij. Si njeri i zakonit që ishte, ai nuk e shprehte hapur dashurinë, por kjo provë që kalonte, tregoi se jo thjesht e donte vajzën e tij, por tani që nuk e kishte, i dukej vetja gjysmë njeriu, sa vetëm shpirti i jepte forcë të kërkonte Aljetën, që për të ishte gjysma tjetër e tij.
Me gjithë ngulmimet e njerëzve dhe të policisë, se vajza është shëndosh e mirë dhe mund të ketë ikur me dëshirën e saj në Itali, atij i brente zemra, se diçka, më e keqe e kishte gjetur. Këtë mendim e kishte edhe gruaja e tij. Kjo gjë e mundonte më shumë. Pasi nuk mundi të gjejë asnjë shenjë, filloi të mësohet me idenë që parandjente se, vajzës diçka shumë e keqe i kishte ngjarë. Ndaj të gjitha kërkimet po bëheshin kot. Në mendim e sipër, vendosi të ruaj toruan dhe të ndërrojë taktikë. '' Do të shkoj, aty ku e pashë me atë ''bandillin'' dhe do ruaj mos shikoj atë qafir !... '' , thoshte me mendje rrugës. Dhe ashtu bëri. Disa ditë e net e ruajti atë rrugicë, duke u maskuar dhe fshehur që të mos binte në sy të gjitonëve, pse jo as të kalimtarëve. I trembej edhe ndonjë spiuni të rastit apo ku i dihet. Kjo gjë e mundoi për disa kohë, por zemra ja donte që dicka të shihte dhe të krijonte një rreze shprese për hallin e madh që e kishte zënë. E vdekur apo e gjallë, duhej të dinte për vajzën e tij… Dhe më shumë se sa dinte ai djalë që ajo shoqërohej, nuk mund të dinte askush tjetër.
I kishin ngulitur disa të njohur idenë se, vajzën edhe mund ta kishin vrarë dhe ta kishin hedhur në ndonjë kanal . Ky mendim e therte shumë në zemër. Përpiqej ta largonte nga mendja.Por, ku ishte trupi?... Dikush do ta kishte parë ! Me gruan , bisedonte shumë pak pasi ajo, gjithmonë i kishte sytë me lot. Prandaj e mori vetë përsipër që të gjente me çdo kusht vajzën të gjallë apo të vdekur ...
Ishte kohë vjeshte dhe vranësirat kishin filluar të bënin prezencën e tyre . Një paradite nga këto, bile filluan edhe pikëlat e para të shiut .. Xha Ajeti vendosi që të shkonte nën një strehë aty më tutje, nga ku mund ta kishte edhe rrugën nën vëzhgim. Mendimet e trullosnin më shumë se sa lodhja nga qëndrimi në këmbë. Mosha e tij ishte rreth të gjashtëdhjetepesave, kështu që jo vetëm ajo por edhe puna në bujqësi, kishin lënë në trupin e tij shenjat, por ai mbahej shumë i fuqishëm . Kjo falë edhe trupit të tij gjatë e të mbushur.
Ndërkohë që rrinte aty, i vinin ndërmend, çastet e bukura, kur lindi Alieta. Djemve , u vinte turp , që e ëma e tyre, mbas kaq vjetësh lindi përsëri në moshën 46 vjeçare. E kishte peng, të bënte një vajzë dhe nuk i vajti kot mendimi. Alieta ishte vajza e ''pleqërisë'' ndaj edhe si e vetme, ishte dhe gëzimi i shtëpisë...
Ai buzëqeshi thatë, pa e kuptuar as vetë, duke notuar ne detin e madh të lotëve që e kishin përshkruar përbrenda gjithë këto ditë dhe javë që nuk kishte vajzën e tij në krahë, ashtu siç e kishte ëndërruar.Në këto mendime e sipër u kujtu a pse ishte aty dhe prapë konfirmoi nën zë se ndjehej akoma i fortë, ashtu si dikur kur ishte djalë dhe nuk i dilte kush në hundë. Kur shiu filloi me shumë të shtohej, vendosi që të rrinte edhe pak pa çka se filloi të lagej. Duke dashur të mbrohej më mirë nga shiu që , tashmë po forcohej, syri në anë të derës së prapme, të një kafeneje i zuri, dy burra që diçka flisnin midis tyre. Vendosi të afrohej më pranë dhe aty për aty, dalloi menjëherë ''bandillin'' që i kishte puthur vajzën, atë natë të fundit …
Sytë në moment ju çelen, dhe i dhanë një çehre sikur mbi kokën e tij mbretëronte dielli dhe jo shiu, të cilin e harroi farë dhe e la të binte me furi në supet dhe gjithë trupin e tij. Të dy burrat u ndanë. Njeri iku majtas dhe tjetri , ''bandilli '', erdhi drejt tij.. Me këtë rast ju dha mundësia ideale që ta shikonte mirë. Ai mori rrugën drejt, për të devijuar pastaj në një rrugë që të çonte në të dalë të qytetit, për nga fidanishtja e vjetër... Aty për aty xha Ajeti, vendosi që ta ruante akoma më me kërsheri, se ku do të shkonte... Djaloshi , i bërë qull nga shiu, pa ditur se kush mund ta ndiqte vazhdoi rrugën anës bunkerëve .
Mendja e vrarë e babait Ajet, në çast nuk kishte dhe shumë kohë për tu menduar ndaj vendosi, të vinte në zbatim planin e tij... Nga brenda xhaketës, nxori një kamë të madhe , dhe e fshehu nën mëngë, duke u afruar me shumë . Në këtë rast përfitoi edhe nga shiu. Sakaq ''Bandilli'', po futej në rrugën për tek bunkerët dhe pas tyre mund të dilte në rrugë kryesore, dhe mund do ta humbte nga sytë. Ndaj e thirri :
-Ej, na mor djalë, më ndihmo pak !. ..
Dhe ai ndaloi:
- Hë xhajë, ç'do ? - i tha ai me ton pa edukatë, duke ndaluar para xha Ajetit ...
Por xhaja ishte aq afër sa mundi dhe i drejtoi thikën në gurmaz në pozicion gati për t’i këputur fytin..
Djali nuk e priste në asnjë mënyrë një reagim të tillë, ndaj befasia me të cilen ju drejtua plaku, ia shtoi më shumë frikën. Pastaj edhe trupi i tij i imët, nuk i jepte asnjë shans për të shpëtuar nga duart e ''xhajës'' gjigant. Plaku e urdhëroi, që të bente si i thoshte, se lëvizja më e vogël, do ta çonte në varr ...
- Mos je gabuar, mor xhajë, unë nuk të njof !...Moooss ! - i thoshte ai me aq sa mund të fliste i shtrënguar në grykë nga Xha Ajeti.
Gjysmë zvarrë e gjysmë shtyrë, ai mundi ta fuste në tunelin që ishte mbas bunkerëve... Tashmë ishin larguar mjaft nga shtëpitë, nga njerëzit dhe qarkullimi.Sa zbritën shkallët në hyrje të tunelit, ''bandilli'' ndjeu një goditje të fortë në kokë, dhe ... Më vonë e shikoi veten të lidhur, duar e këmbë me ngjitës natërband dhe po ashtu edhe gojën ia kishte te mbyllur. Nga drita e zbehtë, që vinte nga dera e largët e tunelit, arriti të merrte një pamje të ambientit ku ndodhej. Tuneli i lartë dhe i gjerë, ishte shumë i njohur për të, pasi e kishte frekuentuar shpesh ate lagje, që në fëmijëri e deri tani i kishte qëlluar rasti të futej shumë herë këtu poshtë... Ai e dinte se tuneli në hyrje kishte një portë që mbyllej nga brenda dhe nga jashtë. Megjithëse e kishte të mbyllur gojën, hunda ju ça nga era e keqe e tunelit të ndotur nga lagështia, por edhe nga mbeturinat e jashtëqitjeve sidomos urinimeve që benin aty herë pas here kalimtarët e rastit.
Ne momentin që u bë gati të kthente kokën të shikonte se ku ishte plaku, dora e forte e tij, i shkuli ngjitësin, nga goja, aq fortë sa ju duk se i rropi lëkurën.
- Ku është vajza ime?... Fol, ç’ma bëre vajzën mor qen ? - iu drejtua ashpër plaku .
- Për cilën vajzë e ke fjalën... nuk e di përse flisni, guxoi të kundërshtonte '' bandilli ''.
Atëherë, një e djathtë e fortë e plakut i solli xixëllojat nëpër sy dhe menjëherë filloi të ngrinte zërin, duke u përpjekur të kerkonte ndihmë... Plaku ja vuri prapë në gojë ngjitesin. Në atë pak dritë të imët që po vinte nga hyrja e largët e tunelit, arriti të dallojë qartë pamjen e plakut dhe ta kujtonte që e njhte mirë, pasi e kishte ruajtur për kohë të tëra deri sa shtiu në dorë vajzën e tij.
- Hë, po pres të më thuash !- i bërtiti plaku dhe ja dha një tjetër përsëri me të djathtën e tij si plumb. ''Bandilli'' nuk mund të fliste, por të paktën mundi të ngulçojë, duke i bërë me shenjë me kokë që ti hiqte ngjitësin. Ndonëse edhe kjo gjë do t’i shkaktonte dhimbje të tmerrshme, por duhej të bënte diçka. Plaku ja hoqi sërish ngjitesin dhe me ton autoritar i tha :
- Vajzen time ku ma ke çuar, në Itali, apo ku, mor edpsëz ? Më thuaj që të di, ku e kam, që të shpëtosh i gjallë nga këtu !
- Unë nuk di gjë por ajo nuk deshi të ikte në Itali... dhe u zumë e u ndamë… - genjeu aty për aty, ai dhe priti reagimin e plakut ..
E djathta u lëshua prapë me forcë duke e balsamosur mishin e faqes së tij në kockat e pakta të fytyrës .
- Ku është vajza ime, më thuaj të vërtetën, mos pa dashje… mos.. . sikur....
- Dhe ti pastaj të më… - e la përgjysëm fjalën djaloshi nga ndërhyrja e menjëhershme e plakut .
- Nuk të bëj gje, - e nderpreu Ajeti, - vetëm se dua të di . Pastaj do të të çoj në degën e brendshme dhe kaq... Ose në të kundërt do të të lë këtu të vdesësh dhe nuk do te te gjejë njeri, ashtu si nuk gjeta edhe unë vajzën time ... Zgidh e merr!. ..
''Oh.., ia bëri ''bandilli'' me vete, më mirë në degë se këtu i torturuar dhe i vdekur në duart e ketij... dhe filloi te belbëzoi dhe të nxjerrë fjalët një nga një:
- Po do ta mbash fjalën unë do të të tregoj të vërtetën...
-Atë dua edhe unë, - tha plaku, duke i mëshuar zërit...
- Ne jemi një grup djemsh që çojmë vajza në Itali. Ato i dorëzojmë tek disa të tjerë, që na paguajnë ... - kështu e filloi tregimin e tij '' bandilli'' dhe pastaj vazhdoi : - Vajzën tuaj për atë punë e deshëm ... Unë i thashë se do të shkonim bashkë në Itali dhe aty do të martoheshim e do të jetonim bashkë …Atë darkë, kur e çova te pylli në anë të detit, dhe po prisnim të vinin e të na merrnin, ajo, si duket kuptoi dhe më iku nga duart me vrap ... E ndoqa . Ajo bërtiste në mes të natës, se do të më çonte në degë, se do tu thoshte vëllezërve e kështu të tilla gjëra... Kjo më frikësoi pa masë, ndaj e ndoqa që ta kapja me çdo kusht. Kur e kapa, e shtrëngova për t’i mbyllur gojën ...
Ky fliste, dhe plakut ju errësua akoma më shumë pamja . Jo nga errësira e tunelit, por nga ato që po dëgjonte për vajzën e tij.Gjaku i kishte pushtuar gjithë pjesën nën lëkurë të kokës, ndaj edhe koka filloi t’i dukej e rëndë sikur në vend të saj të kishte një gur të math. Megjithate e mori veten dhe mbas një loti që i rrodhi furishëm nga syri , e mblodhi veten, se nuk donte që t’i bënte qejfin këtij krimineli. Kuptoi se tregimi i këtij maskarai , do të përfundonte aty ku nuk do ta dëshironte kurrë:
- Kush e vrau vajzën time ? - e nxiti ai që të tregonte .
- Pa dashje, të betohem !... - filloi të kërkojë mbrojtje ai.
- Pra, ti e vrave ?! - këmbënguli plaku.
- Por pa dashje,besomë … pa dashje!...
- Pastaj ku është trupi ?...
Heshtja, pllakosi për disa minuta . Ajeti mendonte për vajzën e gjorë dhe çastet e fundit në duart e këtyre kriminelëve. Mendonte për hallin e madh mbi gjithë hallet e tij. I erdhi në mendje, një gjë krejt e pafajshme: që më në fund do t’i bënte një varr vajzës së tij të vetme. Këtë maskara do ta çonte në degë... Por tani për tani donte të dinte se ku ishte trupi i vajzës.Ndaj e pyeti dhe e ripyeti, duke e zhdëpur në dru... Më në fund priti të dëgjojë edhe pjesën makabre të tregimit për çastet e fundit të jetës së vajzës së tij... '' Bandilli '' ndofta edhe nga pendimi, por më shumë nga frika, e zgjidhi përfundimisht gojën dhe zemrën dhe vazhdoi të tregojë:
- Pasi e kapa, i mbylla gojën që të mos të bërtiste me zë dhe të thërriste fort se i trembesha policisë... Mirëpo nga shtrëngimi i tepërt i gojës, pashë se nuk po reagunte më, ndaj pasi kuptova, se kishte vdekur, nuk dija çtë bëja me trupin e saj...
Kështu, tregonte ai pa teklif, sikur kishte mbytur një pule dhe jo një vajzë te re...
- Edhe ?... - e shtyu, babai për të mësuar më shumë për fatin e vajzës së gjorë...
- Pastaj, meqë isha vetëm, mora ca dega pishe dhe shumë dru që kishte aty rrotull... i bëra grumbull dhe pasi i ndeza, hodha trupin e saj sipër tyre... Këshu duke hedhur, herë pas here deri në mëngjes, arrita ta digja të gjthë trupin, sa u bë njësh me rërën e detit
- Ooooh, oh oh !… - rënkoi me zemër babai fatkeq dhe klithi fort : - Mjaft, qen kriminel, mjaft, se më çave zemrën e melcinë!... Mjaft se me shqeve kraharorin! ... - Dhe e qëlloi aq fortë sa e bëri të humbë ndjenjat! Duke e lënë të shtrirë, ashtu të lidhur pa ndjenja, i zuri gojën me ngjitës, mbylli me kujdes kapakun e tunelit dhe doli tek rruga qendrore.
Ajeti shkoi në shtëpi me mendimin që të mbaronte punë shpejt, sa mos të merrnin vesh të tjerët .. . Dhe nuk i tha gjë së shoqes, se e dinte që do të hapte rënkimin... Kjo gjë, do ti prishte planin që kishte në kokë.Truri i tij punonte aq shumë shpejt, sa nuk i linte kohë ndërgjegjes, as të shfaqej jo më të komandonte.veprimet e tij… Vajti në qilarin e shtëpisë se tyre, mori aty një kashun sa një valixhe shumë e madhe .(Kashuni ishte i të zotit të shtëpisë që kishin marrë me qera) .. Hoqi të gjitha gjërat që kishte brënda. Pastaj doli nga ana e prapme e kopshtit, me të në sup dhe me një bidon në dorë. ..
Duke e ditur që në anë të rrugës, aty tek tuneli ishte një benzinatë, u drejtua për nga atje... Pasi e mbushi bidonin 30 kilsh me naftë, u drejtua për nga tuneli... Për të mos rënë në sytë e njerëzve, të cilët, mbas shiut kishin dalë në lëvizjet e darkës, u fut mes përmes ullishtës dhe arriti nga ana e pasme e tunelit. Hapi kapakun e tunelit dhe pasi futi valixhen, u fut edhe vetë, e mbylli prapë kapakun nga brëmda. Pasi u sigurua se askush nuk e ndiqte, shkoi tek ''bandilli''. Atë e gjeti duke ngulçuar, i zgjuar mbas gjumit që i kishte ''dhënë '' me të djathtën e hekurt.Ashtu i lidhur këmbë e duar dhe me ngjitësen në gojë, ai dukej si nje top mish i zbehte. Kjo pamje rritej me shume nga drita e elektrikut te dores.
Menjëherë e mori topin prej mishi dhe e futi ashtu siç ishte në valicçn e madhe, që për çudi edhe të vetë plakut, ishte sikur ta kishte bërë me porosi, për të... Në këtë rast, megjithëse mendja e tij ishte sëmurur nga të gjitha ato që dëgjoi për fatin e vajzës së tij, tani kishte një kthjellim. Mendonte se më në fund edhe vajza e tij do të prehej e qetë, pa çka se ky kodosh kriminel e kishte kthyer në hi.
Asnjë gulçimë dhe asnjë lëvizje e '' bandillit', nuk depërtonte më në veshin apo në syrin e plakut... Ai me shpejtësi i hoqi ngjitësen nga goja dhe mbylli po aq shpejt kapakun e valiçes. Pasi i vuri drynin, e shkelmoi njëherë si ta zgjonte nga gjumi. Nga brënda dëgjoheshin disa thirrje si nga varri, por plaku, në gjendjen që ndodhej, nuk kishte aftësi t’i dëgjonte. Pasi e sparkati dhe e lau mirë me naftën e pastër për motorat , u terhoh pak prapa, ndezi një letër dhe ia hodhi valixhes... Pas një çasti zjarri i naftës u ndez dhe mbuloi të gjithë valixhen…
Ulërimat dhe gulçimat nga brenda nuk kishin të sosur... Sa më shumë dëgjoheshin ato, aq më shumë naftë hidhte ai në zjarr ...
Plaku qeshte e qeshte, duke jetuar pak çaste kënaqësinë që të jep në raste të tilla çmenduria e hakmarrjes... Flakët çoheshin, dhe ky hidhte akoma më shumë naftë... Megjithese tuneli kishte lartësi, ju desh herë pas here të largohej deri në hyrje per ajrim... Pasi ulej zjarri, vinte dhe e ngjallte prapë, derisa një lëmsh i vogël mishi dhe hiri ia zuri vendin valiçes së mbushur me mish krimineli... Po po, për Ajetin nuk bëhej më fjalë se kishte vënë aty , një trup njeriu, por një copë mish të qelbur... që duhej të asgjësohej, me qëllim që të mos hapte më vdekje dhe dhimbje, jo vetëm në lagje, por në gjithë qytetin ...
Pasi i u sigurua per ''misionin '' e kryer, ai shkoi në shtëpi krejt i lehtësuari.
- Grua, kafene mua të të ngushëlloj për vajzën! -. i tha ai së shoqes dhe lotët filluan t’i lagin faqet ...
Sania, si nënë që ishte, ja dha kujes dhe hapi rënkimin në tër shtëpinë!...
Pasi beri të gjitha adetet, për vajzën e gjorë, disi më i qetësuar, mbas atyre muajve në tension, të hënën e parë që në mëngjes, Ajeti u drejtua për në komisariatin e policisë......

No comments:

  Plani Slloven “non-paper”për Ballkanin perëndimor , një dëshirë apo edhe një mundësi reale ?? Nga Partizan Cene ! Këtë pyetje e kam bërë d...