Monday, February 22, 2010

Elvira Dones: Letër e hapur per Kryeministrin!!!!!

Nga Elvira Dones .. !!


Zoti Kryeministër, Ju falenderoj, me kthjelltësi, për fjalët që thatë ndaj personit tim, jo përpara një kafeje apo qoke mes ortakësh, por në studion e një programi televiziv shumë të ndjekur nga publiku para disa ditësh, pra në "Opinion", drejtuar nga kolegu Blendi Fevziu.

Sikur ta kishit lëshuar sulmin tuaj diku privatisht, nuk do të kisha denjuar ta komentoja atë qoftë edhe me një rrokje. Por ju sulmuat në mënyrë publike, duke e bërë kështu të domosdoshme një refleksion, një saktësim për publikun. Sepse janë njerëzit që na ndjekin të cilëve u detyrohemi, shqiptarëve që na shohin e lexojnë e kërkojnë të kuptojnë se ç'bëhet rreth tyre, që u detyrohemi: ju në radhë të parë si Kryeministër i Shqipërisë e unë si një njeri i letrave e i mediave.

Ndoshta ju harroni, zotëri, se duke ju dhënë votën, ajo pjesë e popullit shqiptar i cili u ka besuar udhëheqjen e ekzekutivit, nuk ju ka dhënë bashkë me votën të drejtën absolute të papërgjegjësisë.

Por ju njoh një gjë zoti Kryeministër: stilin! Prej vitesh ju keni zhvilluar, me një koherencë admiruese - sikur të mos ishte e frikshme për ecjen demokratike të vendit - sulmin personal. Në mungesë të argumenteve ndaj pyetjeve apo kritikave që ju bëhen, ju hapni "librat e familjeve". Këtë bëtë edhe me mua në programin "Opinion" rreth "çështjes Berluskoni". Mëkat veçse, sepse hapet "një libër" të cilin unë vetë e pata hapur tash e katërmbëdhjetë vjet më parë. Por kësaj do t'i kthehem pak më vonë.

Ju pashë online, pashë emisionin. Mbeta pa fjalë përpara logjikës "së hekurt" të një Kryeministri. "Zonja Dones la të birin. E trishtoi fëmijën..." Etj... Gazetari u përpoq t'ju thoshte se kjo ishte diçka personale e individit që ju po komentonit: Elvira Donesit; dhe përgjigja juaj ishte diçka e tipit: kush merret me çështjet personale të dikujt tjetër, duhet ta presë që të tjerët të merren me gjërat private të saj/tij. ???

Ju ose jeni i painformuar, ose dashakeqës, zoti Berisha. Apo më shumë, jeni të dyja bashkë.
Është puna juaj, nëse keni kaq për zemër "dhimbjet" personale të Kavalier Berluskonit, në vend të dhimbjeve të njerëzve që miku juaj fyeu në praninë tuaj në mënyrë aq të përbuzshme. (Jo gjithçka është gallatë e pafajshme. Sidomos jo në sallat e politikës, por natyrisht ju do të qëndroni në istikamin tuaj.)

Unë nuk jam marrë as edhe një çast të vetëm me çështjet vetjake të homologut e mikut tuaj, zoti Kryeministër.
Dhe nuk ekziston e dokumentuar një presje, një fjalë e imja e shkruar apo e shqiptuar, që të çojë në atë drejtim. Ndaj, ose prodhoni prova për të kundërtën, ose ju më detyroheni një apologji publike...

Zoti Berisha,
duke pandehur me shkurtpamësi habitëse të më keni "asgjësuar", "zvogëluar", "treguar vendin", keni bërë këtë radhë një rrëshkitje AQ të pahijshme, sa në vendin tim keni dëmtuar atë pjesë të moderuar e inteligjente të kahut tuaj politik e cila - jam e bindur - edhe nëse nuk ua thotë në sy, ndihet e paqetë ndaj aktit tuaj.
Kthehem tani, tek "libri i familjes" hapur nga ju në "Opinion" rreth jetës sime, sepse nuk i frigohem asgjëje: dhimbjen e hapit që bëra vite më parë; historinë e ikjes sime dhe të pasojave, të cilat - im bir, familja ime, miqtë e mi dhe unë vetë - pësuan për shkakun tim, e kam vënë në një libër, të vetmin autobiografik që kam shkruar, tash e nëntë libra të shkuar. Titullohet "Dashuri e Huaj" - dhe i dedikohet pikërisht tim biri. Pra ju nuk po i thoni publikut shqiptar asgjë të re, që ai nuk di, që nuk e ka lexuar. Me fjalët tuaja ju keni trishtuar vetëm veten e askënd tjetër. Para syve të çdo shqiptari që lexon, nëpërmjet atij libri/konfesion, kam pasur mirënjohjen e respektin e çdo lexuesi.

E meqë "Dashuri e huaj" do të ribotohet pas pak muajsh në shqip, ju po më bëni një publicitet që nuk e prisja, edhe ata njerëz që nuk e kanë lexuar do të kenë mundësi ta lexojnë në ribotim.
Por me shumë dëshirë do të lexoja librin tuaj autobiografik, zoti Berisha, mbi të kaluarën tuaj. Ndoshta injoroj faktin, e ju ndërkohë këtë libër e keni shkruar e botuar me shumë sukses. Por nëse kështu nuk është: shkruajeni. E na rrëfeni!

Së fundi, nëse mendoni se me këto metoda do të më frigoni, nëse me stilin alla Berlusconi (i cili me miratimin tuaj po kthen Shqipërinë në një kosh plehrash të Italisë nëpërmjet centraleve bërthamore), do të më bëni të hesht e të mos merrem me Shqipërinë, ju garantoj, po shihni ëndrra me sy hapur.

Argëtohuni, zoti Kryeministër, nëse ia dilni mbanë, dhe nëse populli shqiptar jua lejon.

Me respekt ndaj lexuesve!
E.Dones
Los Angeles - California

No comments:

  Plani Slloven “non-paper”për Ballkanin perëndimor , një dëshirë apo edhe një mundësi reale ?? Nga Partizan Cene ! Këtë pyetje e kam bërë d...