Tanja Fajon: Hetoni zgjedhjet
BRUKSEL- (17 mars 2010) –
..Raporterja e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, i bëri apel sot politikës shqiptare për maturi, një ditë para seancës së 18 marsit, të caktuar si afatin e fundit për zgjidhjen e krizës politike nga Drejtori për Zgjerimin Pierre Mirel.
“Përpara votimit nesër në parlamentin shqiptar për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimi, i cili duhet të bëjë një hetim të plotë të mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, do të doja të theksoja rëndësinë e një dialogu bashkëpunues transparent dhe të përgjegjshëm mes palëve”, shprehet Fajon në deklaratë.
Sipas saj, “tani që Shqipëria është në fazën finale të liberalizimit të vizave bëhet edhe më e rëndësishme të tregohet gadishmëri për të punuar së bashku për më të mirën për popullin dhe për vendin”.
Tanja Fajon vijon mesazhin e saj duke thënë se “në mënyrë që të vazhdohet në rrugën drejt integrimit europian Shqipëria duhet të jetë efikase dhe konkrete kur vjen puna tek integriteti, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore”.
“Unë shpresoj sinqerisht se Parlamenti Shqiptar do ta ketë parasysh se kjo është po ashtu koha për të provuar pjekurinë politike dhe se në mënyrë të bashkuar do të arrrijë një zgjidhje pozitive dhe konstuktive”- tha Tanja Fajon S & D antare e PE dhe raportuese për liberalizimin e vizave për Ballkanin Perëndimor.
“Unë shpresoj që partitë e qeverisë shqiptare pas kthimit të opozitës në parlament do të japin një përgjigje pozitive ndaj kërkesave të opozitës për të ngritur një komision hetimor dhe për të siguruar transparencën e zgjedhjeve për të gjitha forcat politike në parlament cdo herë, pas zgjdhjeve lokale apo parlamentare”, ka pohuar më tej Fajon.
Sipas saj, hetimi dhe masat e propozuara nga opozita duhet të arrijnë transparencën e plotë si themeli i përmirësimeve të rëndësishme në mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet në të ardhmen për të përmbushur standartet ndërkombëtare.
Vetëm në këtë mënyrë do të mund të vendoset themeli i një dialogu kontruktiv mes qeverisë dhe opozitës.
Shqipëria ka nevojë të tregojë pjekurinë e saj politike më shumë se kurrë në këtë moment vendimtar për liberalizimin e vizave dhe duke pasur parasysh fuqizimin e procesit të integrimit europian të vendit.”- u shpreh Tanja Fajon në deklaratën e saj.
(Lajmifundit)
No comments:
Post a Comment